Tragjedia që tronditi zonën e Plakës në Athinë ka lënë pas dhimbje të madhe te familjarët dhe miqtë e katër viktimave. Një mike e afërt e familjeve, Nikoleta Gjioni, ka rrëfyer për mediat greke disa detaje për viktimat, duke përshkruar jetën dhe planet që kishin para ngjarjes tragjike.
Mes viktimave ishin Florinda Hoxha dhe bashkëshorti i saj, Ian Alexander Kirkpatrick, si dhe çifti tjetër, Florin Hoxha dhe Erisa Çani.
Duke folur për Florindën, Gjoni e përshkroi atë si një njeri të jashtëzakonshëm, një avokate shumë të zonja dhe një grua “plot jetë”. Sipas saj, Florinda sapo ishte martuar me Ianin.
“Ishte një njeri i mrekullueshëm. Një avokate e shkëlqyer, plot jetë. Ende nuk mund ta besoj se kjo ka ndodhur”, tha ajo, duke shprehur tronditjen për humbjen e katër personave.
Çifti i ri priste fëmijën e parë
Veçanërisht prekëse janë detajet që ajo dha për çiftin tjetër, Florin Hoxha dhe Erisa Çani.
Sipas mikes së familjes, ata ishin sapomartuar dhe kishin udhëtuar drejt Greqisë për muajin e mjaltit. Çifti po përjetonte një periudhë të lumtur, pasi priste fëmijën e parë.
“Florini dhe Erisa ishin shumë të emocionuar, sepse prisnin fëmijën e tyre të parë. Ishin jashtëzakonisht të lumtur që do të bëheshin prindër”, rrëfeu ajo.
Ajo zbuloi gjithashtu se Erisa ishte shtatzënë me një vajzë. “Erisa ishte shtatzënë me vajzën e tyre”, tha Gjioni me emocion.
