Pasurinë që e posedojnë duhet ta deklarojnë. Kështu, mijëra zyrtarë të funksioneve publike në Kosovë janë të obliguar të deklarojnë pasurinë e tyre për vitin 2025.
Nga 1 marsi ka filluar deklarimi i pasurisë i zyrtarëve publik. Deri më tani këtë obligim ligjor në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit e kanë përfunduar mbi 1 mijë zyrtarë, apo rreth 10% e tyre.
Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë bërë të ditur kategoritë e zyrtarëve që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë e tyre në kuadër të këtij procesi ligjor.
“ Zyrtarët publik duke filluar nga niveli i lartë, presidenti i vendit, e deri te zyrtarët që kryejnë detyra siç janë certifikimi, licencimi, por edhe procedurat e tenderimi, këtu duke përfshirë edhe zyrtarët e ATK-së, doganierët dhe policët që kryejnë detyra hetimi, janë subjekte deklaruese. Pra, jo vetëm nga niveli i lartë si presidenti, qeveria, ministrat dhe zv/ministrat, por edhe një gamë e gjerë e subjekteve deklaruese. Nga viti 2024, edhe mjekët e sistemit sekondar dhe terciar, si dhe profesorët e universiteteve publike, kanë obligim të deklarojnë pasurinë ”, tha, Yll Buleshkaj, drejtor i APK-së.
