Shefi i Misionit në Selinë e Shenjtë, Vehbi Miftari, ka njoftuar se është larguar nga kjo detyrë me dekretin që ka pranuar nga U.D. Presidentes Albulena Haxhiu.
“Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim. Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan. Sot, kthehem i lumtur që jo vetëm misioni, por edhe marrëdhëniet janë të konsoliduara plotësisht”, shkroi mes tjerash ai. Njoftimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës! Ju njoftoj se këto ditë kam pranuar dekretin e U.D. Presidentes Haxhiu për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë. Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim. Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan. Sot, kthehem i lumtur që jo vetëm misioni, por edhe marrëdhëniet janë të konsoliduara plotësisht. Falënderoj Presidenten Osmani për besimin, secilin prej jush për përkrahjen dhe Selinë e Shenjtë për dashurinë me të cilën më mirëpriti e më ofroi bashkëpunim. Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi. Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që, në përputhje me dinjitetin tim e me lartësinë e pozitës që kam mbajtur, të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund. Me përvujtëni, Vehbi Miftari
