Pas sulmit ndaj një qytetari nga qentë endacakë pranë Urës së Ibrit gjatë ditës së djeshme, në Mitrovicë dyshohet se ka nisur helmimi i qenve endacakë.
Aktivistë për mbrojtjen e kafshëve kanë ngritur alarmin për helmime masive të qenve në pjesë të ndryshme të qytetit, derisa thonë se institucionet nuk kanë reaguar pavarësisht raportimeve të bëra.
Në një bashkëbisedim për KosovaPress, një aktiviste për mbrojtjen e kafshëve në Mitrovicë deklaroi se situata është alarmante dhe se disa qen janë gjetur në gjendje të rëndë pranë Urës së Ibrit.
Ajo tha se ishte telefonuar nga qytetarët dhe kishte dalë në vendin e ngjarjes, ku kishte parë disa qen të helmuar.
“Jam e shokuar, ende nuk po mundem me ardh në vete. Kam shkuar në vendin e ngjarjes dhe e kam parë qenin në çfarë gjendje ka qenë. E kemi lajmëruar policinë, por nuk është ndërmarrë asgjë. Na kanë thënë të telefonojmë në 112, por as aty nuk kemi marrë ndihmë”, tha ajo.
Sipas saj, në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe karabinierët pranë Urës së Ibrit, të cilët kishin parë gjendjen e qenve.
Aktivistja tha se disa prej qenve kanë arritur t’i shpëtojnë, ndërsa një qen tjetër kishte qenë në gjendje shumë të rëndë.
