Rreth dy javë para zgjedhjeve parlamentare, Qeveria në detyrë e Kosovës ndau 2 milionë euro për subvencionimin e linjave ajrore që operojnë në destinacione të lidhura me diasporën. Vendimi u kritikua si tentim për ndikim në zgjedhje, ndërkaq mbetet e paqartë se si vendimi mund të ndikojë në çmimin e biletave apo rritjen e turizmit.
Në kuadër të një mase të quajtur “Mbështetja e Mërgatës”, Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi më 26 maj për mbështetjen e kompanive ajrore për linjat që lidhin vendin me destinacionet nga ku më së shumti vjen diaspora e vendit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se vendimi u mor “përballë rrezikut që një pjesë e fluturimeve të planifikuara gjatë muajve korrik dhe gusht të anulohen për shkak të rritjes së kostos së karburantit”.
“Anulimi i fluturimeve në muajt e verës do të nënkuptonte që një numër i konsiderueshëm i bashkatdhetarëve të mos mund të vinin, siç vijnë zakonisht në muajt korrik dhe gusht. E kjo do të ishte keq për ta dhe familjet e tyre, por do të ishte fatale edhe për ekonominë e vendit”, u shpreh Kurti në një postim në Facebook, më 27 maj.
Partitë opozitare, por edhe shoqëria civile, e kritikuan vendimin që u mor para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, si tentim për ndikim te votuesit nga diaspora, të cilët në zgjedhjet e kaluara e votuan në shumicë Lëvizjen Vetëvendosje.
Nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e cilësuan masën si ndërhyrje me motive elektorale.
“Një qasje e tillë po e shndërron garën zgjedhore në një proces krejtësisht të pabarabartë, ku partia në pushtet krijon epërsi përmes parasë publike dhe avantazhit institucional, e jo përmes një gare të drejtë politike”, shkroi hulumtuesi i KDI-së, Eugen Cakolli, në Facebook, më 26 maj.
Kurti, në anën tjetër, iu përgjigj këtyre kritikave, duke thënë se masa nuk ka të bëjë me zgjedhjet, pasi që, sipas tij, ajo do të ndikojë periudhën e paszgjedhjeve, gjegjësisht të gjithë muajt e verës.
“Pra, nuk bëhet fjalë për blerje biletash apo ardhje të organizuar për zgjedhje, siç u pretendua nga disa qarqe të bllokut opozitar. Kjo është një skemë mbështetëse, sikurse e bëjnë shumica e shteteve të rajonit”, shkroi Kurti në Facebook.
Si do të funksionojë skema? Hollësitë e plota të ndarjes së fondeve ende nuk janë bërë publike në formë të dokumentit, por sipas deklaratave publike të Qeverisë në detyrë, kompanitë ajrore do të mund të aplikojnë për këto fonde nëse i ruajnë ose i rrisin operimet e tyre nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, në një intervistë për televizionin Kanal 10, tha se kompanitë ajrore do të përfitojnë nga 3 euro për pasagjer në sezonin veror të fluturimeve.
Për të përfituar këto fonde, kompanitë duhet të përmbushin disa kritere. Sipas Muratit, masa vlen për linjat ajrore, nëse “e mirëmbajnë frekuencën e fluturimeve për mbi 85 për qind të planit për vitin 2026”.
Gjithashtu, sipas Muratit, secili fluturim duhet të ketë mbi 80 për qind të karrigeve të mbushura.
Pagesa prej 3 eurosh, sipas tij, do të bëhet në bashkëpunim me Aeroportin e Prishtinës. Kësisoj, Qeveria do të paguajë 2.10 euro, ndërsa pjesën tjetër Aeroporti, tha Murati.
Ai pohoi se kompanitë ajrore shpesh reduktojnë numrin e fluturimeve kur përballen me rritje të kostove, duke bashkuar udhëtarët në më pak linja, dhe se masa synon ta parandalojë këtë.
Murati argumentoi se kjo do të ndikonte në numrin e pasagjerëve në Aeroportin e Prishtinës dhe, rrjedhimisht, në të hyrat që gjenerohen për shtetin e Kosovës.
Megjithatë, nuk u bë e ditur se për cilat linja në veçanti do të ndahet subvencioni, dhe sa nga fondi prej 2 milionë eurosh mund të përfundojë te operatorë të veçantë.
Gjermania dhe Zvicra konsiderohen ndër destinacionet kryesore prej nga vjen diaspora kosovare. Sipas të dhënave të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), nga këto dy shtete perëndimore janë nisur më së shumti fluturime për në Kosovë gjatë vitit 2025.
Cilat kompani mund të përfitojnë? Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës mbërrijnë dhe nga ai aktualisht nisen aeroplanët e një numri kompanish ajrore, përfshirë GP Aviation, EasyJet, Eurowings, Edelweiss, Chair Airlines, Austrian Airlines, Lufthansa, Turkish Airlines dhe Wizz Air.
Deri tani, asnjëra prej kompanive nuk ka konfirmuar publikisht nëse do të aplikojë për subvencione.
