Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, edhe në seancën e së enjtes, Ramadan Morina u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për krime lufte në fshatin Burim të Malishevës.
“Jo s’e pranoj fajësinë se s’kam qenë fare në Kosovë atëkohë”, tha Morina, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Morina u deklarua i pafajshëm edhe në seancën fillestare më 30 dhjetor 2025.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 17 dhjetor 2025, Ramadan Morina akuzohet se gjatë periudhës kohore 1998 -1999, në kohën e luftës në Kosovë, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasje, dëbime, keqtrajtime fizike dhe psikike, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
Vrasje: Në pikën e parë të aktakuzës, Morina ngarkohet se më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, konkretisht në vendin e ashtuquajtur “Vrella e Mihillit”, gjatë një aksioni të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, të gjithë të armatosur dhe të uniformuar, me tanke, autoblinde dhe forca këmbësori, rrethuan zonën ku ishin strehuar rreth 1 mijë civilë shqiptarë të dëbuar nga disa fshatra të Malishevës, më pas forcat serbe i detyruan civilët të dalin në një livadh.
Aty thuhet se nga gratë dhe fëmijët t’i ndanë 35 burra civilë shqiptarë, duke i detyruar të rreshtohen, ndërsa të tjerët u detyruan që të largoheshin nën përcjelljen dhe kërcënimin e armëve, më pas një pjesëtar i forcave policore serbe shtiu rafall me një pushkë automatike në drejtim të viktimave, duke vrarë 34 civilë të nacionalitetit shqiptar.
Aktakuza thotë se i dëmtuari, dëshmitari Nuredin Morina i mbijetoi masakrës duke rënë në tokë dhe duke u shtirë sikur kishte vdekur dhe më pas arriti që pas një kohe të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërsa të nesërmen forcat policore dhe ushtarake serbe u kthyen përsëri në vendin e ngjarjes dhe me qëllim që t’i zhduknin dhe fshihnin gjurmët e krimit, i masakrojnë trupat, i djegin dhe i shpërndajnë kufomat e viktimave nëpër rrugë të fshatit.
