Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, ora 21:00. Ky është pikëtakimi i përnatshëm i mijëra protestuesve që, nën thirrjen “Jo në emrin tim”, kundërshtojnë dënimin për krime lufte të katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nga Gjykata Speciale.
Por, kush po proteston dhe çfarë po kërkohet?
Për 15 net me radhë, nga 16 shtatori, protesta ka vazhduar në të njëjtin vend, e thirrjeve u janë bashkuar edhe veteranë të luftës, studentë, tifozë, politikanë, artistë dhe qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës.
Në numër më të vogël të pjesëmarrësve, protesta u mbajtën edhe në shumicën e komunave të Kosovës, të thirrura nga Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL) së UÇK-së.
Çlirim Haziri, organizator i protestave të mbrëmjes në kryeqytetin e Kosovës, tregon për REL se çdo natë iu bëjnë thirrje institucioneve të vendit t’i plotësojnë dy kërkesa.
E para, ta ndryshojnë ligjin për ato që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Dhe, e dyta, të garantojnë një buxhet mbështetës për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
“Që 15 ditë i kemi këto kërkesa, të cilat ende nuk kanë arritur në vesh të institucioneve të Kosovës”, thotë Haziri, teksa nuk shpreson edhe aq që në plotësimin e tyre.
Ai shpreh frikën se Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare, pa u ndryshuar ligji për Specialen.
Nismën për ndryshimin e ligjit e ka marrë tashmë Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, teksa propozimi është ende në duart e Qeverisë për vlerësim, para se ajo t’ia përcjellë atë Kuvendit për shqyrtim.
Haziri kërkon që ndryshimi i këtij ligji “të mos jetë në tavolinë të negociatave politike për koalicione midis partive”, por të procedohet në Kuvend e të mbështetet nga shumica shqiptare.

“Nuk ka paqe pa drejtësi” – protestë në Prishtinë kundër aktgjykimit të 16 shtatorit.
Për veteranët e luftës, kalimi i procesit gjyqësor tek Gjykata Supreme e Kosovës, pasi të përfundojë shkalla e Apelit, është kërkesa kryesore. Ky është edhe një nga ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen.
“Në qoftë se vendimi i Apelit në Gjykatën Speciale është i pafavorshëm për neve, le të jetë mundësia që vendimi të korrigjohet nga institucionet tona dhe drejtësia të vendoset në Kosovë”, thotë Gazmend Syla, nënkryetar i OVL-së së UÇK-së.
Përveç kërkesave të ngjashme me të tjerët, veteranët po i kërkojnë kryeministrit Albin Kurti edhe shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Atë e shohin pengesë në mbështetjen e shtetit për ish-krerët e UÇK-së në Hagë, pasi vlerësojnë se ministria që ajo udhëheq ka në kompetencë edhe ndihmën financiare dhe ligjore.





