Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë cilësuar të papërshtatshme pjesëmarrjen në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, lidhur me konstatimet dhe rekomandimet e tij për këtë institucion dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një komunikatë, Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se refuzimi i ftesës mbështetet në kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Sipas tyre, neni 162, paragrafi 11, i Kushtetutës dhe neni 34, paragrafi 9, i ligjit përkatës i japin Avokatit të Popullit të Dhomave të Specializuara, Pietro Spera, përgjegjësi ekskluzive për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me këtë institucion dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Dhomat kanë theksuar se mungesa e kompetencës së Avokatit të Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, në raport me Dhomat e Specializuara i është komunikuar atij edhe më herët, duke iu referuar një deklarate të mëparshme të institucionit.
