Deputeti i Aleancës Shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, Ilir Capuni, ka reaguar lidhur me debatet e fundit për ndalimin e hyrjes në Kosovë të disa zyrtarëve malazezë, duke theksuar se vendimet e institucioneve të Kosovës duhet të respektohen si vendime të një shteti sovran.
Në një postim në Facebook, Capuni tha se nuk ka krijuar përshtypjen se dikush nga Republika e Kosovës ka pasur qëllim t’i prishë marrëdhëniet me Malin e Zi.
“Si përfaqësues i Aleancës Shqiptare, nuk e kisha përshtypjen se dikush nga Republika e Kosovës donte t’i prishte marrëdhëniet në Mal të Zi. Në të kundërtën, mirëkuptimi im është se organet kompetente të Kosovës kanë vlerësuar se ekzistojnë arsye sigurie për veprim parandalues në raport me personat konkret”, ka shkruar ai.
Sipas Capunit, mund të ketë diskutime nëse vlerësimi i institucioneve të Kosovës ka qenë i drejtë ose jo, por kjo mbetet çështje e vendimmarrjes së autoriteteve të një shteti sovran.
