Fatos Geci, djali i Halil Gecit, i cili e përshkroi si “tradhti” dekretin e presidentes Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin dhe tha se ajo “do të pushkatohej” në Turqi për këtë, ka bërë një “sqarim” për Haxhi Avdylin, deputetin e disa legjislaturave, i cili tha dorëheqje nga partia Guxo, për, siç tha, fushatën linçuese që nisi ndaj Osmanit.
Geci, i cili arriti të bëhej duke garuar për herë të parë në listën e LVV-së në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, tha se Avdyli në një mbledhje të partisë e kishte quajtur Osmanin “të gërrditshme”.
“Sqarim dhe demaskim për deputetin Haxhi Avdyli dhe kinse “frikën” e tij ndaj deklaratës se babit tim për ish-presidenten Osmani. I nderuar deputet Avdyli, Respekti im për ty, për shkak të moshës që ke (60 vjeç), ka qenë maksimal deri në momentin kur u vendosën emrat tanë në listën për deputetë. Na lodhe me orë të tëra debate duke këmbëngulur që të ishe sa më lart në renditje të listës por prapë nuk arrite. Aty fillova ta njoh egoizmin tënd”, shkroi Geci në fillim të një postimi në Facebook.
“Momenti i dytë ishte pasi përfunduan listat. Ishim në një mbledhje së bashku me ministren Gërvalla dhe kandidatët për deputetë, kur erdhe dhe më the mua, deputetëve dhe Donikës: “Vjosa është vërtet e gërditshme, shumë e gërditshme me disa veprime.” Në atë moment nuk e kuptova se për çfarë e kishe fjalën, por më vonë e kuptova dhe pashë se, në fakt, jo vetëm ajo, por ju të dy jeni më se të gërditshëm. Për dallim nga ti që flet prapa krahëve të Vjosës, unë kam guximin ta them publikisht dhe privatisht, ty dhe asaj sepse ky është realiteti jeni të njëjtë”, shtoi ai.
Geci shkruan se Emrush Avdyli, djali i axhës së Haxhi Avdylit, e kishte ftuar të takohej me Osmanin.
“Së treti, zoti deputet, më datë 26 shkurt pas takimit me ty mora telefonata dhe mesazhe pa ndalur nga Zyra e Presidencës, saktësisht nga djali i axhës tënd, Emrush Avdyli, i cili me tha qe punon në Presidencë dhe këmbëngulte që të takohem me Vjosën (i kam te gjithë mesazhat e thirrjet ne whats app) gjë që kategorikisht e kam refuzuar. Unë nuk shitna. Unë jam një person me parime dhe i edukuar nga një baba që më ka mësuar gjatë gjithë jetës të ha vetëm me një lugë”.
