Radio Evropa e Lirë – Departamenti amerikan i Shtetit e ka publikuar të martën raportin më të ri lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut në botë, dhe në pjesën për Kosovën ka përmendur se Qeveria ka ndërmarrë “hapa kredibilë për jokonsistent në identifikim, hetim, ndjekje penale dhe ndëshkim të zyrtarëve që kanë kryer shkelje të të drejtave të njeriut”.
Në raportin për vitin 2024, është përmendur se Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka raportuar se ka qenë disa herë shënjestër e fushatave të shpifjeve, kur ka mbrojtur gazetarë dhe media.
“AGK-ja ka raportuar se zyrtarë qeveritarë, përfshirë kryeministrin dhe pjesëtarë të partisë politike në pushtet janë përfshirë në fushata shpifjeje për të minuar besimin e publikut në media”, është përmendur në raport.
Aty është thënë, po ashtu, se AGK-ja ka raportuar dhjetëra raste kur zyrtarë qeveritarë, liderë politikë, stafi gjyqësor, interesat biznesore, kriminelë të dyshuar, protestues dhe grupe fetare i kanë sulmuar fizikisht apo verbalisht gazetarët, duke ua dëmtuar pajisjet, apo duke kryer sulme kibernetike kundër mediave.
“Gazetarët kanë thënë se presioni prej politikanëve dhe grupeve të organizuara kriminale ka rezultuar shpesh me vetcensurë. Disa gazetarë janë përmbajtur nga hulumtimet për shkak të frikës për sigurinë fizike apo sigurinë në punë. Gazetarët kanë pranuar se në disa raste u janë ofruar përfitime financiare, në këmbim të raportimeve pozitive apo për braktisje të hulumtimeve”, është thënë mes tjerash në raport.
Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në Indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës ndërkombëtare, Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
Ky është viti i dytë radhazi që Kosova ka shënuar rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.
