Rrjeti i klasifikuar NSANet, të cilin Agjencia e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së (NSA) e përdor për komunikimet e brendshme dhe shkëmbimin e informacioneve sekrete, ka dalë jashtë funksionit pas një problemi teknik.
Sipas CNN-it, gjashtë persona të njohur me çështjen kanë bërë të ditur se NSA-ja të martën në mbrëmje e kufizoi punën në selinë e saj, duke lejuar që vetëm personeli kryesor të paraqitej në kampus, derisa po punohej për rikthimin e rrjetit.
Vendimi erdhi vetëm disa orë pasi punonjësit ishin njoftuar se mund të ktheheshin në punë normalisht, raporton CNN.
Në një deklaratë, NSA-ja tha se problemi ndodhi gjatë mirëmbajtjes rutinore të planifikuar, duke theksuar se disa sisteme të brendshme u prekën, por kapacitetet kritike për misionin mbetën funksionale.
Ndërkaq, drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, deklaroi se ndërprerja erdhi si pasojë e instalimit të një përditësimi të softuerit, i cili synonte adresimin e disa dobësive të zbuluara muajin e kaluar.
“Përditësimet që janë bërë pas kësaj kanë shkaktuar që disa prej këtyre sistemeve të mos rikthehen në funksionim kur instalohen përditësimet, ashtu siç pritet. Kjo është ajo që ka ndodhur sot në NSA”, tha Clayton për Fox Business.
Deri më tani, sipas burimeve të CNN-it, nuk ka prova që ndërprerja të jetë shkaktuar nga ndonjë sulm kibernetik.
