Korea e Veriut ka një bazë sekrete të raketave pranë kufirit të saj verior me Kinën, e cila mund të paraqesë një “kërcënim bërthamor të mundshëm” për pjesën më të madhe të Azisë Lindore dhe Shtetet e Bashkuara, sipas një raporti të ri të publikuar të mërkurën, shkruan CNN.
Baza e raketave Sinpung-dong ndodhet vetëm 27 kilometra nga kufiri me Kinën. Besohet se ruan deri në nëntë raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) me kapacitet bërthamor si dhe lëshuesit e tyre mobilë, tha raporti i think tank-ut me qendër në Washington, Center for Strategic and International Studies (CSIS).
Sipas raportit, kjo bazë është një nga 15 deri në 20 bazat e raketave balistike dhe objektet e ruajtjes së kokave bërthamore që Koreja e Veriut nuk i ka deklaruar kurrë. Raporti është mbështetur në analizën e imazheve satelitore, intervista me refugjatë dhe zyrtarë nga Koreja e Veriut, dokumente të deklasifikuara dhe të dhëna të burimeve të hapura.
“Këto raketa paraqesin një kërcënim bërthamor të mundshëm për Azinë Lindore dhe Shtetet e Bashkuara kontinentale”, paralajmëroi raporti.
Koreja e Veriut e ka përshpejtuar programin e saj të armëve gjatë viteve të fundit nën udhëheqësin Kim Jong Un, duke modernizuar me shpejtësi forcat e saj të armatosura, duke zhvilluar armë të reja dhe duke testuar raketa balistike ndërkontinentale që mund të arrijnë pothuajse kudo në Shtetet e Bashkuara.