Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve për lokalizimin e Adnon Jasharit, i cili kërkohet nga organet e drejtësisë për veprën penale “Vrasje e rëndë”, lidhur me vrasjen e Diana Kastratit, më 18 maj 2011 në Prishtinë.
Jashari, i akuzuar për vrasjen e ish-partneres së tij, ndodhet në arrati që nga viti 2011.
Sipas njoftimit të Policisë, kërkesa për bashkëpunim është bërë bazuar në urdhëresën e Gjykatës, e cila ka caktuar seancën gjyqësore për datën 10 nëntor 2026.
Vrasja e Diana Kastratit, e ndodhur 15 vjet më parë në kryeqytet, kishte tronditur opinionin publik. Viktima kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet para se të vritej.
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka bërë thirrje të akuzuarit të dorëzohet dhe të paraqitet para drejtësisë.
Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë informacione për vendndodhjen e Adnon Jasharit të njoftojnë përmes adresës elektronike info@kosovopolice.com ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

