Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se procesi i amandamentimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara do të nisë të hënën dhe pritet të përfundojë brenda dy javësh.
Çitaku ka thënë se pas përfundimit të ndryshimeve të propozuara, ligji do të rikthehet në Kuvend për votim.
Çitaku ka falënderuar deputetët që votuan për këtë nismë, duke e cilësuar votimin si dëshmi të pjekurisë politike dhe vullnetit kombëtar për t’u bashkuar rreth vlerave që, sipas saj, përfaqëson Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Faleminderit të gjithëve, të cilët me votën e tyre sot e demonstruan edhe njëherë një shkallë të lartë të pjekurisë politike dhe vetëdijes kombëtare. Ne jemi subjekte të ndryshme politike, mirëpo është e rëndësishme që në momentet kur na e kërkon historia dhe atdheu, ne dimë të bashkohemi rreth vlerës më sublime që e ka prodhuar kombi ynë në shekullin e fundit: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se ligji nuk është nismë e një partie të vetme politike, por produkt i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke paralajmëruar se procesi i ndryshimeve do të nisë menjëherë pas votimit.
“Ky ligj nuk është për PDK-në, nuk është për partitë politike, ky ligj nuk është vetëm i PDK-së, është ligji i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili po besojmë që do të kalojë sot. Edhe faza e amandamentimit do të fillojë, siç u zotuam edhe publikisht, menjëherë të hënën, edhe siç u zotuam publikisht sërish, do të përfundojë brenda dy javësh”, ka thënë ajo për Ekonomia Online.
Çitaku ka shpjeguar edhe arsyet pse PDK-ja kishte kërkuar nga presidentja kthimin e ligjit për rishqyrtim. Sipas saj, qëndrimi i kësaj partie ka qenë se Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe neni 84 i Kushtetutës i japin mundësi Kuvendit që të bëjë ndryshime në ligj.
Ajo ka thënë se, ndonëse me Lëvizjen Vetëvendosje kishte pasur pajtim për përmbajtjen e ligjit, dallimet kishin të bënin me procedurën, prandaj ishte konsideruar e nevojshme që ligji të ribotohej fillimisht në formën paraprake dhe më pas të niste procesi i amandamentimit.
“Kur ne i kemi bërë kërkesë presidentes që ta kthejë ligjin për rishqyrtim, ne kemi qenë të bindur, siç jemi të bindur edhe sot, që Rregullorja e Punës së Kuvendit dhe neni 84 i japin mundësi Kuvendit të Republikës së Kosovës që të bëjë ndryshime në ligj. Me Lëvizjen Vetëvendosje jemi dakorduar për përmbajtjen, mirëpo kemi pasur mendime të ndryshme në procedurë. Ne besojmë që një ligj i një rëndësie kaq të madhe nuk duhet të përcillet me dilema të tilla, andaj jemi pajtuar gjerësisht që fillimisht ta ribotojmë ligjin siç ka qenë dhe menjëherë të fillojë amandamentimi i tij”, ka deklaruar Çitaku.
E pyetur se brenda çfarë periudhe pritet të amandamentohet ligji me ndryshimet e kërkuara, Çitaku ka bërë të ditur se nisma e re ligjore do të procedohet të hënën, ndërsa brenda dy javësh pritet të rikthehet në Kuvend për votim.




