Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar sqarime nga ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, për të cilën ai tha se ka përmbajtur pasaktësi si rezultat i interpretimit të gabuar të të dhënave.
Zemaj theksoi rëndësinë e kësaj ekspozite, duke ngritur shqetësime për përmbajtjen e saj dhe përputhshmërinë me të vërtetën historike, ndërsa kërkoi edhe sqarime për financimin dhe shpërndarjen e materialeve të lidhura me të.
“Për rëndësinë e kësaj ekspozite, e cila për pjesët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por edhe deklaratat që kanë dalë nga protagonistët e këtyre ngjarjeve nuk rezultojnë me të vërtetën historike. Është një devijim që konsiderohet i qëllimshëm ose i paqëllimshëm, por që duhet të vërtetohet në aspektin institucional edhe kjo pjesë e përgjegjësisë ju takon edhe juve si kategori e re institucionale për mbrojtja e vlerave të luftës çlirimtare. Shohim cili ka qenë financimi i shtetit edhe për këtë ekspozitë ose librat të cilat tash përfolen, ndër librat që ekziston pjesa faktike financimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, ku është shpërndarë, kush i ka shpërndarë, cili ka qenë qëllimi, a ka pasoja nga këto devijime historike të cilat janë të dëmshme, të cilat kanë të bëjnë me ngjarjet tragjike të luftës, ku flitet për masakra, evidentimin e numrit të njerëzve, familjarëve edhe diçka që lidhet që është temë edhe sensitive, por është në fund të fundit është çmimi që ka paguar populli shqiptar për liri dhe pavarësi, sidomos në fundit e fundit”, pyeti ai.
Ministri Andin Hoti tha se është krijuar një perceptim i gabuar publik për përgjegjësinë e ministrisë që ai drejton lidhur me këtë ekspozitë, duke theksuar ndarjen e qartë të kompetencave institucionale në Kosovë.
