Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre të dyshuarve për disa vepra penale, përfshirë atë të mashtrimit, detyrimit e të shpëlarjes së parave, i njohur ndryshe si rasti “Mega”.
Kjo gjykatë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës që kjo masë të caktohet ndaj të pandehurve S.D., B.K. dhe A.A.
Ata dyshohen se kanë kryer veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, lidhur me veprat penale Mashtrimi dhe Detyrimi, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërlarja e parave”.
I pandehuri B.K. dyshohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” dhe “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Kurse, të pandehurit S.D. dhe B.K. në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”, i pandehuri S,D., dyshohet edhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe i pandehuri A.A., për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
