Mandatet e rezervuara për komunitetet pakicë në Kuvendin e Kosovës: mbrojtje kushtetuese e përfaqësimit politik apo instrument për manipulim politik?
Kjo pyetje u rikthye në fokus, pasi Emillija Rexhepi, kryetare e Partisë së Re Demokratike që përfaqëson komunitetin boshnjak, e akuzoi udhëheqësin e Partisë serbe për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, për “manipulim të votave”, pasi ai mori rreth 200 vota në disa fshatra të komunës së Prizrenit, ku nuk jetojnë pjesëtarë të komunitetit serb.
“Mandatet e rezervuara, pra të garantuara, ekzistojnë pikërisht për t’u siguruar që komunitetet joshumicë i zgjedhin përfaqësuesit e tyre autentikë. Çdo gjë tjetër përbën shfrytëzim të egër të sistemit dhe anulim direkt të qëllimit kushtetues që kanë mandatet e rezervuara”, tha Rexhepi në një komunikatë që lëshoi pasi Gjykata Supreme e Kosovës e rrëzoi ankesën e saj, duke argumentuar se “nuk mund të vendosë se kush ka votuar për kë” dhe se “çdo qytetar ka të drejtë të votojë për kë të dëshirojë”.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Rexhepi thotë se partia e saj ka arritur një rezultat të mirë zgjedhor, por se është përgjegjësi e përfaqësuesve politikë që të mbrojnë interesin e komunitetit dhe mandatet e garantuara.
Ajo vë në dukje se edhe koalicioni “Vakat”, i cili gjithashtu përfaqëson komunitetin boshnjak, ka marrë vota në fshatra ku jetojnë vetëm shqiptarë, dhe paralajmëron se për këtë çështje do të drejtohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
Nga 120 vendet në Kuvendin e Kosovës, njëzet janë të rezervuara për komunitetet joshumicë: dhjetë për komunitetin serb dhe dhjetë për komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë.
Komunitetit boshnjak i takojnë tri vende deputetësh, atij turk dy, komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian nga një, plus një vend shtesë për komunitetin më të votuar nga radhët e romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve, ndërsa një vend i deputetit i takon komunitetit goran.
Sipas rezultateve përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia e Re Demokratike e Emillija Rexhepit siguroi një vend deputeti me 3.920 vota nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndërsa Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë mori gjithashtu një mandat me 4.862 vota.
Rexhepi ka qenë zëvendëskryeministre për komunitetet në Qeverinë e kaluar, ndërsa Rashiq ka udhëhequr Ministrinë për Komunitete dhe Kthim, pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që ka mbështetje nga Beogradi – ka braktisur institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022.
Rashiq hedh poshtë akuzat
Lideri i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, hedh poshtë akuzat për manipulim ose inxhiniering politik, duke theksuar se ka qenë ministër për Komunitete dhe Kthim dhe, rrjedhimisht, ka qenë në kontakt me komunitete të ndryshme në Kosovë, prej të cilëve ka marrë besimin.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se nuk mund të tërhiqet paralele me rastin e Adriana Hoxhiqit, nga Iniciativa Qytetare Komuniteti i Bashkuar. Në vitin 2021, Gjykata Supreme e Kosovës i ka anuluar asaj mbi 4.000 vota në komunat me shumicë serbe – me çka edhe ka humbur mandatin e saj si deputete.
Atëkohë, Gjykata Supreme i ka anuluar mbi 800 vota edhe Iniciativës Rome, nga gjithsej 4.049 vota të marra, duke e lënë pa njërin nga dy vendet e fituara parlamentare.
Këto dy subjekte politike janë akuzuar se votat në zonat me shumicë serbe i kanë marrë falë Listës Serbe, e cila “përmes bazës së saj të votuesve, ka bërë përpjekje të ushtrojë ndikim dhe të vendosë nën kontroll disa nga komunitetet joshumicë në Kosovë”.
Për votat e Iniciativës Rome, Partia e Bashkuar Rome e Kosovës dhe Partia Liberale Egjiptiane i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila në vitin 2023 ka konstatuar se pjesëtarët e pakicave kanë të drejtë të marrin vota në çdo pjesë të Kosovës – pa diskriminim ose llogaritje etnike, për sa kohë nuk dëshmohen parregullsi konkrete zgjedhore.
Po ashtu, është thënë se anulimi i votave duhet të bazohet në argumente dhe prova të qarta ligjore, siç është mashtrimi zgjedhor i koordinuar.
Rashiq thekson se numri i votave që ai ka marrë në zonat ku nuk jetojnë serbë, nuk është i madh dhe nuk ndikon në rezultatin e tij zgjedhor.
