Banorët e Fushë Kosovës prej më shumë se 24 orë janë pa ujë të pijshëm.
Lidhur me këtë situatë, gjatë mëngjesit të sotëm ka reaguar Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina, përmes një njoftimi ku thuhet se për shkak të turbullirës në kanalin e Ibër-Lepenc, impianti ka qenë jashtë funksionit. Si pasojë e kësaj gjendjeje, më të prekurat nga mungesa e furnizimit me ujë janë Fushë Kosovë, Obiliq, Prishtinë dhe Podujevë.
Më vonë, kompania bëri një tjetër njoftim, duke theksuar se në impiantin e trajtimit të ujit në Shkabaj ka nisur procesi i trajtimit, por aktualisht po zhvillohet me kapacitet minimal për shkak të rrethanave teknike.
