Agim Bahtiri i Vetëvendosjes është nervozuar jo pak me Partinë Demokratike të Kosovës rreth organizimeve të tyre për çështjen e gjyqit në Hagë, përfundimi i cilit pritet të ndodhë më 16 shtator.
Bahtiri tha se krerët e UÇK-së duhet të lirohen, por “pas zhurmës së PDK-së, fshihet një kalkulim i ulët.”
Bahtiri mendon se PDK po përdor procesin në Hagë “për të bllokuar shtetin.”
Postimi i plotë:
Liria e njerëzve tanë që po përballen në Hagë është e drejtë që i takon çdo ushtari të UÇK-së dhe aty mbrohet e vërteta e luftës sonë. Prandaj, kërkoj që ata të lirohen pa kushte, e t’i kthehen familjeve të tyre.
Por pas zhurmës së PDK-së, fshihet një kalkulim i ulët që prapaskena politike e di mirë, por që pakkush po e thotë hapur: një përpjekje e qëllimshme për ta përdorur procesin e drejtësisë si pretekst për bllokim të shtetit, duke përdorur UÇK-në si pronë private dhe duke e lidhur çdo hap politik me aludime e matematike të prapaskenës për të ashtuquajturat "kthime pas shtatorit". Kjo nuk është mbështetje për të akuzuarit, por falimentim i një partie pa ide e pa vizion. Janë të gatshëm të dëmtojnë e të bllokojnë çdo proces vital, përfshirë funksionimin e institucioneve apo zgjedhjen e Presidentit, vetëm për të ushqyer një iluzion politik që u shërben si mburojë e vetme elektorale.

