Punëtorët teknikë të disa shkollave në Prishtinë kanë hyrë në grevë për shkak të mos pagesës së pagave për muajin prill.
Në grevë kanë hyrë punëtorët teknikë të shkollave: “Dardania”, “Asim Vokshi”, “Gjergj Fishta”, “Ismail Qemali”, “Hasan Prishtina” e shkolla të tjera në kryeqytet.
E kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, tha se greva po mbahet pothuajse në të gjitha shkollat e Prishtinës dhe se punëtorët nuk do të kthehen në punë derisa pagat të ekzekutohen.
“Pjesa dërmuese e shkollave, po megjithatë deri tani nuk kam asnjë informacion se ndonjë shkollë e ka thyer grevën. Kështu që mendoj që të gjitha shkollat janë në grevë. Kërkesa për grevë është sepse ne jemi sot me datën 19 dhe nuk i kemi marrë pagat për muajin prill. Pagat tona janë aq të ulëta sa që edhe kur i marrim me kohë nuk po mund t’i ia dalim me lëre më tani kemi hyrë në javën e tretë që nuk i kemi marrë. Këtë gjendje e rëndon akoma më shumë se pjesa dërmuese jemi me kredi dhe për çdo ditë bankat tona na thërrasin për kamatën e tyre. Realisht, ne nuk e dimë arsyen pse nuk është bërë pagesa. Kemi komunikuar kështu në mënyrë spontane me institucionet relevante, por neve tani nuk na intereson se a është faji tek kompanitë apo tek komuna e Prishtinës, neve na intereson vetëm pagat tona. Përndryshe aq më keq këta punëtorë tani, disa shkolla që nga data 1 maj dhe disa që nga data 11, nuk kanë fare kontratë dhe faktikisht është diçka po themi kështu anarki e tepruar. Nuk kemi paga, nuk kemi kontrata, por në fakt krejt ajo çka kemi ne, kemi organizimin sindikal, jemi në grevë pothuajse gati të gjitha shkollat në nivel të Komunës së Prishtinës dhe për këtë parregullsi do të bëjmë përgjegjësi aktorët e komunës së Prishtinës. Ata përse ta paguajnë dhe ata u duhet që këtyre punëtorëve me këto paga po thonë të mjerueshme, që së paku ta kemi afatin ligjor që duhet bërë pagesat. Këta nuk e kanë bërë dhe normal që edhe ne nuk i bëjmë shërbimet tona nëpër të gjitha shkollat në nivel të Prishtinës”, tha ai.
