Avokatja, Rudina Jasini e ka cilësuar Gjykatën Speciale si institucion “sui generis” dhe ka kritikuar bazën e saj ligjore dhe mënyrën e interpretimit të ligjit. Ajo tha se Specialja përbën një “precedent negativ” për drejtësinë ndërkombëtare penale.
Avokatja Rudina Jasini, pjesë e ekipit mbrojtës të Rexhep Selimit, ka kritikuar mënyrën e krijimit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke thënë se ky institucion është “i paprecedent” në spektrin e drejtësisë ndërkombëtare penale.
Duke komentuar aktgjykimin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jasini tha se fillimisht duhet të analizohet në retrospektivë se çfarë përfaqëson ky institucion dhe cilat kanë qenë pasojat e veprimtarisë së tij.
“Së pari, ky institucion a përfaqëson vërtetë vullnetin e popullit të Kosovës. Së dyti, ngritja e këtij institucioni, a ishte një përgjigje të kërkesës për drejtësi të viktimave në Kosovë. Mendoj që në të dyja rastet përgjigjja është jo”, tha Jasini në Debat Plus.
Sipas saj, mënyra se si është krijuar institucioni ka qenë e veçantë, pasi fillimisht ishte konceptuar si një institucion gjyqësor i specializuar dhe i zhvendosur i Kosovës.
Jasini u ndal edhe te përfundimet e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ajo theksoi se të katër të akuzuarit janë shpallur të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi sipas saj, Prokuroria nuk ka arritur të provojë përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një krimi kundër njerëzimit që kishte karakter sistematik, të gjerë dhe të përhapur në Kosovë.
Në anën tjetër, trupi gjykues i shpalli fajtorë për katër krime lufte: ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme.
Për këto vepra, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.

