Avokatja Adelina Hoxha, e cila përfaqësonte tani më të ndjerën Arlinda Zekajn në çështjet që lidheshin me dhunën në familje dhe kontestin për fëmijën e saj, ka drejtuar akuza të rënda ndaj institucioneve pas vrasjes së saj në Vitomiricë të Pejës.
Hoxha ka thënë se përgjegjësia për këtë tragjedi nuk duhet të shihet vetëm përmes autorit të dyshuar të vrasjes, por edhe përmes mënyrës se si institucionet i trajtuan kërkesat e Arlindës për ndihmë.
“Mundem me thanë shkurt që shteti e ka vra. Prokurorja s’e ka ushtru detyrën e vet”, është shprehur Hoxha për Telegrafin.
Avokatja Hoxha kishte përgatitur një ankesë disiplinore prej 14 faqesh, në cilësinë e përfaqësueses së autorizuar të Arlinda Zekajt.
Ankesa i ishte drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë dhe kishte të bënte me trajtimin e një rasti që përfshinte edhe djalin e mitur të viktimës.
Në dokument, avokatja kishte kërkuar hetim disiplinor për pretendime që përfshinin mosushtrimin efektiv të detyrës, pakujdesinë e rëndë profesionale dhe mosmarrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijës.
Sipas pretendimeve të paraqitura në ankesë, kishte shqetësime për mënyrën e intervistimit të të miturit, ndikimin e mundshëm mbi deklarimet e tij dhe mungesën e veprimeve të mjaftueshme për sigurimin e provave.

