Avokati i Popullit, Naim Qelaj, ka deklaruar se në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt ka dyshime serioze për përgjegjësi të drejtpërdrejtë të shtetit, duke vlerësuar se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.
Ai ka kërkuar zbardhjen e plotë të përgjegjësive, masa konkrete parandaluese dhe llogaridhënie nga autoritetet përgjegjëse.
Qelaj ka thënë se, ndonëse ende nuk është bërë një vlerësim përfundimtar i të gjitha rrethanave të rastit, faktet që po bëhen publike ngrenë shqetësime serioze për mënyrën se si institucionet kanë vepruar për ta mbrojtur viktimën.
“Ajo që mund të them në këtë fazë, kur ne ende nuk i kemi hetuar të gjitha detajet, është se duket shumë qartë që përgjegjësia e shtetit në këtë rast nuk është treguar në nivelin e duhur. Pra, shteti ka dështuar me i mbrojtë viktimat e dhunës në familje”, ka deklaruar Qelaj.
Ai ka theksuar se shqetësimi bëhet edhe më i madh për shkak se, sipas tij, dështimet e institucioneve nuk janë raste të izoluara, por probleme që janë përsëritur ndër vite, pavarësisht rekomandimeve dhe thirrjeve të vazhdueshme për ndërhyrje, raporton EO, transmeton Klankosova.tv.
“Më të rëndë këtë situatë e bën fakti që këto dështime dhe këto lëshime janë sistematike, janë të vazhdueshme dhe ndodhin përkundër thirrjeve, rekomandimeve dhe ngritjes së zërit për t’i kërkuar shtetit që ta ketë vëmendjen dhe seriozitetin e duhur në qasje. Institucionet duhet të marrin masa parandaluese, sepse kanë përgjegjësi direkte kur një person humb jetën pasi rastin e ka paraqitur para shtetit”, ka thënë ai.




