Avokati i Popullit, Naim Qelaj, teksa shprehu shqetësime lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, tha se shteti i Kosovës nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar një proces të drejtë, të paanshëm dhe të mbikëqyrur siç duhet.
Qelaj nuk deshi të flasë për mbështetjen financiare nga buxheti i shtetit për mbrojtjen e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, por vuri në pah monitorimin e munguar të gjykimit të tyre.
“Nuk duhet të flasim për mbështetje. E, para që duhet të bëjmë është të sigurojmë proces të drejtë dhe të paanshëm. Ndoshta këtu Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm, sepse ka qenë e domosdoshme që kjo gjykatë të monitorohet prej një autoriteti i cili është jopolitik, joinstitucional. Pra, mund të jetë institut i të drejtave të njeriut, mund të jetë organizatë e shoqërisë civile. E kam ngritur këtë shqetësim qysh me kohë kur e kam pasur vizitën e parë në vitin 2021, sepse përkundër garancive që verbalisht i japin gjyqtarët, kryetarja e gjykatës dhe vetë gjykata, këto janë të pamjaftueshme në kuptim të vetë mënyrës se si po procedohet ky rast”, tha Qelaj.
Ai tha se shqetësimet e qytetarëve për ecurinë e gjykimit në Hagë janë të arsyeshme, për shkak të problemeve me transparencën, redaktimet e shumta dhe përdorimin e provave të dyshimta.
