Në Dhomat e Specializuara në Hagë sot po mbahet konferenca statusore për rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Përveç Krasniqit, që po ndjek seancën përmes video-lidhjes, ish-krerët e tjerë të UÇK-së janë të pranishëm në gjykatë.
Avokati i Thaçit, Lluka Misetiq, u ankua se trupi gjykues ka refuzuar kërkesën prej 10 javësh që mbrojtja të përgatisë çështjen e saj, duke thënë se më 25 gusht mbrojtja duhet të nisë rastin.
“Gjykata ka ulur kohën për përgatitjen e mbrojtjes nga 10 javë në 2 javë”, tha ai duke shtuar se ky afat është barrë e madhe për ekipin e tij.
Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se kjo është kohë e mjaftueshme për mbrojtjen. Ndërkaq, trupi gjykues tha se mbrojtja në tetor të vitit të kaluar ishte pyetur se sa kohë i duhet për rastin, dhe ajo kishte deklaruar se i duhen 4-6 javë.
Mbrojtja e Thaçit tha se problemi i paraqitjes së dëshmitarëve më 25 gusht ka të bëjë me autorizimet që kërkohen për dëshmitarë, sipas rregullit 107. Ky rregull ka të bëjë me zbulimin e identitetit të dëshmitarit apo informacionit të ndjeshëm.
Mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit, sipas trupit gjykues, një ditë më parë kanë dorëzuar një listë dëshmitarësh dhe materialesh që synojnë të përdorin gjatë çështjes.
Megjithatë, ZPS-ja tha se nga lista e dëshmitarëve, vetëm tre prej tyre janë të identifikuar.
Trupi gjykues pyeti disa herë mbrojtjen pse tani po deklaron se nuk është gati t’i paraqesë këta dëshmitarë, pasi në të kaluarën ka publikuar edhe një listë dëshmitarësh. Mishetiq e cilësoi si praktikë të gabuar nxjerrjen e një liste dëshmitarësh, teksa shtoi se tani duhet të ndiqen hapat dhe të merren autorizimet e duhura.
Gjykata pyeti avokatin e Krasniqit, Aidan Ellis, nëse ekipi i tij është gati të nisë paraqitjen e dëshmitarëve më 25 gusht në mënyrë që ekipi i Thaçit të përgatitet, por ai tha që nuk është gati.
Trupi gjykues pyeti se sa dëshmitarë planifikon mbrojtja e Thaçit dhe Krasniqit të thërrasë. Mbrojtja e Thaçit tha se 12 dëshmitarë planifikon t’i ftojë, 11 prej të cilëve synojnë të japin dëshminë në gjykatë dhe një përmes dëshmisë me shkrim. Ndërkaq, mbrojtja e Krasniqit tha se synon të thërrasë pesë dëshmitarë.
Mbrojtja e Thaçit u shpreh se vetëm për një dëshmitar ka nevojë për masa mbrojtëse.
“Duam mbrojtjen e identitetit të tyre deri në dhënien e dëshmisë së tyre”, tha Mishetiq sa i përket dëshmitarëve.