Për të dytën ditë me radhë mijëra qytetarë kanë protestuar në Tiranë, në mbrojtje të Zvërnecit në Vlorë ku ditë më parë u lëndua një qytetar pasi e kundërshtoi ndërtimin e një resorti në atë pjesë bregdetare.
Në rrjetet sociale u publikua një video, që tregonte një punonjës të një kompanie private të sigurisë që goditi një protestues, ndërsa dy të tjerë e tërhoqën zvarrë atë për disa metra.
Zona ku kanë nisur punimet për ndërtimin e resortit është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo konsiderohet ndër habitatet më të rëndësishme në Shqipëri për zogjtë e ujit dhe migratorët, përfshirë dhe flamengot.
Punimet lidhen me planet e shpallura më herët nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, i cili në mars të vitit 2024 deklaroi se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.
Për këtë projekt, qytetarët në Tiranë dolën sërish në protestë, në ditën e dytë më radhë.
