Një prej njerëzve më të besuar të Aleksandar Vuçiqit në Policinë e Serbisë ka përfunduar në pranga. Marko Kriçak, shefi i Drejtorisë së Policisë Kriminale, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, manipulim të provave dhe ushtrim presioni ndaj dëshmitarëve.
Kriçak dyshohet se ka manipuluar provat dhe ka ushtruar presion ndaj dëshmitarëve dhe të akuzuarve në rastin e vrasjes së Aleksandar Neshoviq, i njohur si Baja, në restorantin “27”, në lagjen Senjak të Beogradit. Në këtë rast, Kriçak kishte udhëhequr operacionin policor pas vrasjes.
Kriçak ishte emëruar në krye të Drejtorisë së Policisë Kriminale në fund të dhjetorit të vitit 2025. Para këtij emërimi, kishte shërbyer si komandant i Njësisë për Mbrojtjen e Personave dhe Objekteve të Caktuara (JZO), ndërsa më herët kishte punuar në Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA), raportonjnë mediat serbe.
Emërimi i tij ishte shoqëruar me kritika nga politikanë të opozitës serbe, të cilët kishin ngritur pretendime për kualifikimet dhe të kaluarën e tij profesionale. Ministria e Punëve të Brendshme i kishte mohuar këto pretendime.
Emri i Kriçakut ishte përmendur edhe në raportime për brutalitet policor gjatë kohës kur drejtonte njësinë JZO. Ai ishte lidhur gjithashtu me një video që shfaqte keqtrajtimin fizik dhe marrjen në pyetje me dhunë të një studenti, i cili ishte ndaluar gjatë një proteste në Jagodinë.
Pavarësisht kritikave dhe pretendimeve të ngritura ndaj tij, Kriçak ishte emëruar në një nga pozitat më të rëndësishme drejtuese të Policisë së Serbisë, nën juridiksionin e së cilës përfshihet edhe Shërbimi për Luftimin e Krimit të Organizuar (SBPOK).
Kriçak është përmendur edhe si një prej zyrtarëve policorë që ka gëzuar mbështetjen publike të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit e kishte dekoruar atë dhe njësinë që drejtonte, si dhe e kishte lavdëruar publikisht në disa raste