Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit Prizren, ka arrestuar katër persona mbi dyshimet se zyrtarë nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër në Gjakovë, kanë mundësuar kundërligjshëm bartjen e pronave në pronësi të personave të tretë .
Për këto arrestime ka reaguar kryetari i Komunës së Gjakovës, duke i cilësuar si komplet të panevojshme, teksa u shpreh gjithashtu se beson në ndershmërinë e kolegëve dhe ish-kolegëve të tij.
Ai ka kërkuar që “Prokuroria të sqarojë qartë dhe publikisht për çfarë konkretisht po akuzohen ata – jo me terma të përgjithshëm si “shpërdorim detyre”, por me fakte konkrete”.
“Jam sinqerisht i befasuar me arrestimin e ish-kolegëve dhe kolegëve të mi. E shoh këtë arrestim si plotësisht të panevojshëm derisa kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim të kuptueshëm – si brenda institucionit, ashtu edhe në opinionin publik.
Jam i bindur në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve dhe ish-kolegëve të mi. Prandaj, besoj se është e domosdoshme që Prokuroria të sqarojë qartë dhe publikisht për çfarë konkretisht po akuzohen ata – jo me terma të përgjithshëm si “shpërdorim detyre”, por me fakte konkrete. Qytetarët kanë të drejtë të informohen drejt, sidomos në një periudhë kaq të ndjeshme si kjo para zgjedhjeve”, shtoi ai.
Ai shtoi se beson në drejtësi, por që sipas tij, është detyrë edhe e organeve të drejtësisë që ta mbrojnë sistemin nga çfarëdo ndërhyrje që e cenon besimin e qytetarëve në vet atë sistem.
“Të gjithë duhet t’i nënshtrohen sundimit të ligjit, e ligji duhet të jetë i drejtë”, ka përfunduar ai.
“Pas një mori veprimesh hetimore, të kryera në koordinim me prokurorin e shtetit, janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e arsyeshëm se katër të dyshuar (dy meshkuj dhe dy femra) nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Kadastrit e Komunës së Gjakovës, dyshohet se me veprimet e tyre në vitet 2018 dhe 2019, kanë lëshuar kundërligjshëm pëlqimet dhe vendimet për parcelizimin dhe bartjen e pronave tek personat e tretë, pa dijeninë dhe autorizimin e pronarëve legjitimë. Te dyshuar janë intervistuar në prezencën e mbrojtësve të tyre, ndaj tyre është iniciuar rasti ‘keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe me aktvendim të prokurorit, të katër të dyshuarit janë ndaluar deri në 48 orë”, thuhet në njoftim për arrestimin e të lartëcekurtve.