Drejtori i Shërbimeve Publike, Leotrim Retkoceri, është ballafaquar me komandantin e policisë përpara objektit të Ministrisë së Ekonomisë ku Komuna e Prishtinës ka dhënë urdhër të vazhdojnë punimet për vendosjen e një murali të Nënë Terezës për 28 Nëntor, ndërsa Policia e Kosovës ka urdhëruar për ndaljen e punimeve.
Retkoceri i tha atij se prokurori ka pasë që deri dje në orën 14:00 t’i kthejë përgjigje lidhur me dhënien e këtij urdhri dhe se këtë nuk e ka bërë.
Ai akuzoi Policinë e Kosovës se ka marrë urdhër politik nga Alban Krasniqi, këshilltari i ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe bashkëshorti i kryeparlamentares Albulena Haxhiu.
“Krejt dokumentet janë për të vazhduar punimet komandant”, i tha Retkoceri.
Ndërkaq, komandanti i policisë ia ktheu: “Ato dokumente ju i keni, të tjerët s’i kanë”.
“Prokurori, që ti dje ke komunikuar me të, ka dhënë urdhër që të ndalohen punimet këtu”, i tha më pas komandanti i policisë.
Kur Retkoceri ia kërkoi urdhrin me shkrim të prokurorit, komandanti i policisë tha: “Ne pranojmë edhe urdhra verbalë”.
“Mos merrni urdhra politikë. Alban Krasniqi iu ka urdhëruar m’i ndalë punimet. Mos bini pre se jeni Polici e Kosovës”, i tha Retkoceri.
“Kush na ka urdhëruar?”, pyeti komandanti.
“Alban Krasniqi ju ka dhënë urdhër këtu publikisht, ju ka thënë policisë, Po bini në nivel politik për 28 nëntor, për Nënë Terezën. A është marre kjo?”, tha Retkoceri.
Në fund, komandanti i policisë tha se duhet të zbatohet vendimi i prokurorit “qoftë i shkruar, qoftë verbal”.
Ministria e Ekonomisë dje tha se Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim “për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse”.
“Ndërhyrjet e datës 20 nëntor janë kryer kundërligjshëm, arbitrarisht. Po ashtu, pa masa mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe duke shkaktuar dëme materiale. Prokuroria ka pezulluar punimet, përkundër kësaj Komuna ka tentuar të vazhdojë punimet sot, në orën 06:00 të mëngjesit, të cilat janë ndaluar nga Policia e Kosovës”, tha dje Ministria.
Ndërkaq, sot kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mbajti një konferencë për media në sheshin “Zahir Pajaziti”, duke thënë se Asambleja e Kryeqytetit ka vendosur për këtë mural dhe se i gjithë procesi ka qenë i ligjshëm.
Ai akuzoi Qeverinë për bllokada të përsëritura ndaj projekteve të Komunës së Prishtinës, ndërsa Policinë e Kosovës e akuzoi se mori “udhra nga lart”.