Përputhja e programeve universitare me nevojat e tregut të punës mbetet një ndër sfidat kryesore të arsimit të lartë në Kosovë.
Në podkastin 5 Pyetje të Radios Evropa e Lirë, ish-zëvendësministri i Arsimit dhe eksperti i fushës, Dukagjin Pupovci, thotë se në Kosovë mungojnë analiza të mirëfillta për nevojat e tregut të punës.
Sipas tij në universitetet publike vazhdon të ketë numër të madh studentësh në fusha si ekonomia dhe juridiku, ndonëse tregu i punës nuk ka nevojë për aq shumë kuadro.
“Vetë fakti që del konkursi për 1100 studentë, ky është teprim. Sepse, 1100 ekonomistë këtu, edhe ta zëmë 1100 le të jenë në të gjitha katër [fakultetet] e tjera – 2200 ekonomistë çdo vit – ekonomia jonë nuk ka nevojë për një kapacitet të tillë”, thotë Pupovci.
Ai përmend se 30 për qind e studentëve në Kosovë studiojnë në fushën e biznesit, administrimit dhe ligjit, që sipas tij shpesh herë detyrohen të punojnë punë për të cilat nuk kanë pasur nevojë të studiojnë fare.
Sipas Pupovcit, Ministria e Arsimit duhet të ketë një politikë më të qartë për miratimin e kuotave të regjistrimit dhe të zhvillojë dialog me universitetet për t’i përshtatur ato më mirë me nevojat e tregut.
Pupovci vlerëson se zgjedhja e studimeve duhet të mbështetet te prirjet personale, por edhe te mundësitë reale për punësim.
