Kosova nuk shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme nëse nuk zgjidhet presidenti deri më datën 5 mars, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se procedura për zgjedhjen e presidentit konsiderohet e nisur vetëm kur në rend dite të seancës së Kuvendit vendosen së paku dy kandidatë të propozuar me nënshkrime. Sipas tij, vetëm nga ky moment fillon të rrjedhë afati 60-ditor, brenda të cilit duhet të zgjidhet presidenti. E tek, nëse brenda këtij afati nuk arrihet të votohet i pari i vendit, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje.
Deri tani s’ka asnjë kandidaturë zyrtare me tridhjetë nënshkrime për president të vendit, përkundër që Vjosa Osmani i ka shfaqur ambiciet për një mandat të dytë, ndërsa gati për garë janë deklaruar edhe liderët e AAK-së dhe Nismës, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, si edhe akademiku, Arsim Bajrami.
Procedura e zgjedhjes do të thotë kur mandati është i rregullt, duhet të bëhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual. Në çdo situatë, kurdo qoftë që fillon nesër, pas një jave, pas një muaji, kurdo qoftë që fillon dhe nuk zgjidhet brenda afatit prej 60 ditëve, prej nisjes së procedurës, atëherë shkohet me automatizëm në zgjedhje.Procedura nis në momentin kur futen në rend dite dy kandidatë, domethënë të propozuar me nënshkrime, së paku dy kandidatë, konsiderohet që ka nisur procedura. Nuk ekziston detyrimi kushtetues dhe e thotë qartë në aktgjykimin e fundit për rastin e presidentit, kur ka qenë çështja e presidentit Thaçi.Në qoftë se nuk zgjidhet presidenti për 60 ditë, prej ditës kur nis procedura, siç e thashë, kurdo qoftë që nis ajo, atëherë shkohet në zgjedhje. Por nuk shkohet në zgjedhje për faktin që nuk është zgjedhur 30 ditë para skadimit të mandatit”, thotë Hasani.
Ai deklaron se në rast se mandati i presidentes përfundon dhe nuk ka president të zgjedhur, detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit e merr kryetarja e Kuvendit, në këtë rast Albulena Haxhiu, një ditë pas skadimit të mandatit të presidentes aktuale, Vjosa Osmani.
“Kurdo qoftë që nis procedura, e procedura nis kur janë vënë në rend dite së paku dy kandidatë, konsiderohet nisje e procedurës. Në qoftë se ajo është nisur sot, prej sotit kur mbushen 60 ditë, atëherë me automatizëm duhet të shpallen zgjedhjet. Dhe ajo nënkupton, në rastin konkret, atë duhet ta bëjë zonja Albulena Haxhiu, sepse Albulena Haxhiu po ashtu me automatizëm e merr postin e ushtruesit të detyrës së presidentit, ditën e nesërme që i skadon mandati zonjës Osmani”, deklaron Hasani.
Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare e cilëson zgjedhjen e presidentit si çështje thellësisht politike, andaj shton se opozita ka të drejtë të vendosë të mos votojë një kandidat të partisë në pushtet pa një marrëveshje politike.
