Njëzetepesë raste të reja me fruth janë konfirmuar në Kosovë gjatë javës së fundit, duke e çuar në 137 numrin e përgjithshëm të të infektuarve që nga 16 prilli.
Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), të publikuara nga Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale (IEJL-PShS), rastet janë shtuar për 38 ose rreth 38 për qind brenda dy javësh. Më 3 gusht ishin raportuar 99 të infektuar.
IEJL-PShS ka kërkuar intensifikimin e vaksinimit rutinor, identifikimin në kohë të fëmijëve me doza të humbura apo të vonuara dhe imunizimin e tyre sipas kalendarit të rregullt.
Vetëm gjatë javës së fundit, në komunat me numrin më të madh të rasteve, 276 fëmijë që ishin vonuar për imunizim janë vaksinuar me MMR.
“Ky është një rezultat i rëndësishëm dhe pozitiv, por njëkohësisht nënvizon nevojën për forcimin e mëtejshëm të sistemit të vaksinimit rutinor”, thuhet në reagimin e IEJL-PShS-së.
Të dhënat tregojnë rënie të mbulueshmërisë me vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubeolës. Nga 95 për qind sa ishte në vitin 2019, niveli ra në 89 për qind më 2024 dhe në 82 për qind gjatë vitit të kaluar.

