Të burgosurve në Kosova u është shtrenjtuar ndjeshëm komunikimi telefonik, pasi Telekomi i Kosovës ka kaluar nga një pagesë fikse mujore në tarifim për minutë, duke rritur koston deri në rreth 17 cent për minutë me TVSH
Deri para rreth dy muajsh, të burgosurit kishin mundësi të komunikonin me familjarët përmes një pagese fikse prej 5 eurosh në muaj. Por, me ndryshimin e sistemit, tani tarifimi bëhet për çdo minutë të shpenzuar në telefon.
Në një përgjigje për media, Telekomi i Kosovës ka arsyetuar rritjen me investimet teknologjike dhe rikthimin në një sistem standard të faturimit.
Sipas kompanisë, forma e mëparshme me pagesë fikse ishte një zgjidhje e përkohshme, pasi mungonin kapacitetet teknike për të monitoruar kohëzgjatjen e thirrjeve individuale.
“Për rikthimin e shërbimit standard, ka qenë e nevojshme të realizohen investime teknologjike, përfshirë ndërrimin e platformës dhe instalimin e kabinave të reja”, thuhet në arsyetimin e Telekomit.
Pas përfundimit të këtyre investimeve, shërbimi është rikthyer në sistemin standard përmes kartelave, ku tarifimi bëhet për minutë.
“Thirrjet brenda rrjetit (Vala): 6.8 cent + TVSH (~8.02 cent) për minutë. Thirrjet drejt operatorëve të tjerë në Kosovë: 12.7 cent + TVSH (~15 cent) për minutë. Për klientë standardë, tarifat arrijnë deri në 14.4 – 15.25 cent + TVSH. Thirrjet jashtë Kosovës tarifohen sipas çmimeve standarde të tregut.
