Udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, ka bërë të ditur se në rastin e Arlinda Zekajt ka munguar plani individual, ndonëse një dokument i tillë kërkohet me ligj për menaxhimin e rasteve.
Gjatë raportimit para Komisionit Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, Kelmendi është pyetur nga anëtari i komisionit, Adnan Rrustemi, nëse për rastin konkret kishte pasur plan individual.
“Ju e mbikëqyrni menaxherin e rastit?A kërkon ligji që të ketë plan individual për rastin. A ka pasur për rastin konkret”, pyeti ai.
Kelmendi u përgjigj se ligji e kërkon një plan të tillë, por që në rastin konkret ai kishte munguar.
“Po kërkon. Për rastin konkret ka munguar plani”, tha Kelmendi.
Anëtarja e komisionit nga PDK-ja, Besa Kabashi Rama, e pyeti Kelmendin për arsyet pse rasti i të miturit kishte përfunduar në Qendrën për Punë Sociale dhe nëse brenda institucionit kishte procedura për mbikëqyrjen e rasteve të dhunës në familje.
“Rasti i të miturit për çfarë arsyeja ka përfundua në QPS. Bese ka qenë rast i dhunës në familje, brenda qos a keni ndonjë procedurë ku r mbikëqyrni”, pyeti ajo.
Kelmendi tha se rasti ishte raportuar si dhunë në familje, ndërsa vlerësimi i nivelit të rrezikshmërisë bëhet nga Policia.
“Rasti kur ka ndodhur është raportuar si dhunë në familje. Në nivelin e rrezikshmërisë e vlerëson policia. Çdo informatë mund të bashkangjitur si provë. Mbetet në vullnetin e punëtorit”, tha ai.


