Vrasja në Mitrovicë: Kjo është gjendja shëndetësore e të plagosurit tjetër
Personi i dytë në Mitrovicë, që mori plagë nga thika mbrëmë rreth orës 22:00, është jashtë rrezikut për jetë.
Kështu ka bërë të ditur stafi mjekësor që i dha tretman e nevojshëm pas plagëve të marra.
Teksa, mjeku kujdestar në Spitalin Rajonal Mitrovicë Jugu ka konfirmuar se personi tjetër i lënduar gjithashtu me thikë nga i njëjti i dyshuar, viktima mashkull, i moshës 37 vjeç, si pasojë e lëndimeve ka humbur jetën.
Njësitet kompetente policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore në lidhje me rastin, me çrast i dyshuari ka rënë në pranga.
Gjithashtu, Policia njofton se është sekuestruar mjeti i mprehtë (thika) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.
Me urdhër të prokurorit të krimeve të rënda, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Me aktvendim të prokurorit, të dyshuarit mashkull i moshës 31 vjeç, i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, ndërsa njësitet kompetente policore do të vazhdojnë me hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.