Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj do të rikthehet në ring më 23 tetor 2026, këtë herë në Tiranë, ku do të mbrojë për herë të dytë titullin e tij botëror IBO në kategorinë Cruiserweight.
Uldedaj do të ngjitet në ringun e Parkut Olimpik “Feti Borova”, në një sfidë që për të ka një rëndësi të veçantë, pasi do të zhvillohet para publikut shqiptar, shkruan Indeksonline
Kundërshtari i tij do të jetë Blake Caparello, ish-kampion bote IBO dhe një prej boksierëve me më shumë përvojë që Uldedaj ka pasur përballë gjatë karrierës.
Në një mesazh të publikuar para duelit, Uldedaj ka treguar se kjo ndeshje përfaqëson realizimin e një ëndrre të hershme.
“Kam kaluar vite duke ndjekur këtë ëndërr. Kam luftuar larg familjes dhe vendit tim, kam përballuar sakrifica të panumërta, kam fituar tituj dhe kam shkruar emrin tim në historinë e boksit shqiptar”, ka shkruar Uldedaj.
Ai ka theksuar se mbrojtja e titullit në Tiranë ka një domethënie shumë më të madhe sesa një duel i radhës.
“Por gjatë gjithë këtij rrugëtimi kam mbajtur gjallë një ëndërr edhe më të madhe: të rikthehem si kampion dhe ta mbroj titullin botëror në zemër të Tiranës, në Shqipërinë time. Tani, ai moment ka ardhur”, ka deklaruar boksieri shqiptar.
Duke folur për kundërshtarin, Uldedaj ka shfaqur besim të madh para përballjes.
“Caparello po vjen në Tiranë për brezin tim, por ka bërë zgjedhjen e gabuar. Kjo është koha ime, ky është vendi im dhe ky është titulli im”, është shprehur ai.