Boksieri britanik Anthony Joshua ka lënë të kuptohet se pensionimi nga boksi profesionist është shumë afër, duke zbuluar se pas largimit nga ringu mund të investojë në kompaninë e njohur të veshjeve sportive “Under Armour”.
37-vjeçari pritet të rikthehet në ring më 11 dhjetor, kur do të përballet me rivalin britanik Tyson Fury në Cardiff, në një meç që është cilësuar si një prej përballjeve më të mëdha të boksit në Britaninë e Madhe.
Megjithatë, Joshua ka pranuar se nuk i kanë mbetur edhe shumë vite në sportin profesionist, duke përmendur moshën dhe karrierën e gjatë që ka pasur deri më tani.
“Kur do të pensionohem? Shumë shpejt. Po plakem. Nga pikëpamja e një sportisti, unë po plakem. Ndoshta herën tjetër kur të bisedojmë, mund të flasim për planet pas boksit, sepse kjo do të vijë shumë shpejt. Nuk kam edhe shumë vjet para”, ka deklaruar Joshua në një intervistë për gazetën “The Sun”.
Britaniku, i cili ka regjistruar 30 fitore dhe katër humbje në karrierën profesioniste, e nisi rrugëtimin në boksin profesionist para 13 vjetësh, ndërsa vëmendjen ndërkombëtare e fitoi pasi triumfoi me medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Londra 2012”.
