Një nga risitë e rëndësishme të sezonit të ri të “Abissnet Superiore” ka nisur të japë menjëherë rezultatet e para konkrete. Rregulli i ri i Federatës Shqiptare të Futbollit për aktivizimin e detyrueshëm të lojtarëve të rinj ka krijuar më shumë hapësira për talentet shqiptarë që të provojnë veten në elitën e futbollit vendas.
Sipas rregullores së miratuar nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, duke nisur nga sezoni 2026-2027, në kampionatin Abissnet Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë, çdo skuadër do të ketë detyrimin të aktivizojë nga minuta e parë, për të paktën një pjesë loje, një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare.
Në javën e parë të kampionatit, kjo risi është shoqëruar me aktivizimin e 17 futbollistëve të rinj, duke dëshmuar që politika e FSHF-së për t’u krijuar më shumë mundësi talenteve shqiptarë po gjen zbatim konkret që në nisje të sezonit.Por përtej shifrave, java e parë solli edhe protagonistë të rinj. Briajan Gjyla i Vorës, i datëlindjes 2007, u bë vendimtar në sfidën ndaj Dinamo City, duke shënuar golin e fitores në suksesin 1-0 të Vorës. Një paraqitje që e vendosi menjëherë në qendër të vëmendjes që në javën hapëse të kampionatit.
Gjyla, së bashku me Dion Vatën e Partizanit, një tjetër futbollist i ri i aktivizuar në javën e parë, u përzgjodhën në formacionin më të mirë të javës së parë të “Abissnet Superiore”, nga Drejtoria Teknike e FSHF-së.Te Tirana u aktivizuan pesë lojtarë të rinj: Olti Qerimaj (2007), Mateo Maçi (2009), Aimar Bami (2008), Serxho Vogli (2008) dhe Serxho Prendi (2008).




