Pas shortit të play-offit për Botërorin 2026, mediat në Sllovaki kanë nisur analizat e para duke e cilësuar Kosovën si kundërshtar “të panjohur, por për t’u respektuar”.
Termi “respekt” është më i përdoruri në raportimet e tyre, teksa Sekretari i Federatës së Futbollit të Sllovakisë, Peter Palenčík, theksoi se rezultatet e Kosovës e bëjnë atë një rival serioz.
“Të gjitha ekipet në barazh janë të forta. Kosova është e panjohur, por duhet respektuar,” tha Palenčík, duke shtuar se fakti që finalja eventuale luhet në shtëpi është një avantazh i madh për Sllovakinë.
Sllovakia duhet të vendosë deri më 26 nëntor se në cilin stadium do të zhvillohet ndeshja, me favorit Tehelné Pole në Bratislavë, i cili ka 22.500 ulëse.
