Federata e Futbollit të Kosovës ka nisur jetësimin e projektit “Ndriçojmë Futbollin”, përmes të cilit synohet instalimi i sistemeve moderne të ndriçimit në stadiume dhe fusha të futbollit në vend.
Kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë të ditur se projekti ka hyrë në fazën e parë të zbatimit, ndërsa një nga stadiumet tashmë ka zhvilluar ndeshje nën dritën e reflektorëve
Bëhet fjalë për stadiumin “18 Qershori” në Klinë, ku sonte ndeshja është zhvilluar për herë të parë nën ndriçimin e ri, si pjesë e projektit të FFK-së.
Ademi ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm në procesin e modernizimit të infrastrukturës së futbollit kosovar.
“Sot po shënojmë një tjetër moment të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës së futbollit në Kosovë”, ka shkruar Ademi.
