Prezenca e Lionel Messit në Botërorin 2026 nuk është ende e qartë.
Në një intervistë dhënë për mediumin amerikan “NBC”, tetë herë fituesi i Topit të Artë e ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë me Argjentinën në Kupën e Botës, e cila do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë nga 11 qershori deri më 19 korrik të vitit të ardhshëm.
Sidoqoftë, ylli i Inter Miamit, sot 38-vjeç, preferon të marrë kohë para se ta marrë një vendim definitiv.
“Të jem në Botëror do të ishte e jashtëzakonshme. Do të më pëlqente të jem në formë dhe të mund ta jap një kontribut të rëndësishëm për Kombëtaren time, nëse do të jem aty. Por, dua ta shoh se si do të jem fizikisht dhe mentalisht në vazhdim”, deklaroi fillimisht ish-futbollisti i Barcelonës dhe i Paris Saint-Germainit.
Messi së fundmi e vazhdoi kontratën me Inter Miamin deri në vitin 2028, ndërsa precizoi se do ta vlerësojë formën e tij fizike ditë pas dite në fillim të sezonit të ardhshëm.
