Eliminimi dramatik i Kroacisë nga Kupa e Botës ka lënë pasoja të thella emocionale te futbollistët kroatë, pas humbjes ndaj Portugalisë.
Njëri prej tyre ishte mesfushori Petar Sucic, i cili nuk arriti t’i përmbante lotët pas përfundimit të ndeshjes, duke u shfaqur dukshëm i mërzitur në fushë.
Një nga momentet më prekëse të takimit erdhi kur Cristiano Ronaldo iu afrua për ta ngushëlluar pas fishkëllimës së fundit.
Duke folur pas ndeshjes, Sucic pranoi se zhgënjimi ishte i madh, duke theksuar se Kroacia meritonte më shumë nga kjo përballje.
“Ishte ndeshje shumë e mirë, por që për fat të keq nuk përfundoi mirë. Nuk di çka të them, ndihem i zbrazët. Por jam krenar me ekipin, sidomos për pjesën e dytë. Kemi merituar më shumë, të paktën vazhdimet”, u shpreh ai.
