Manchester City po përgatitet për një fund të fuqishëm të merkatos verore pas humbjes së rëndë 3-0 ndaj Arsenalit në Community Shield, ndërsa trajneri Enzo Maresca raportohet se ka identifikuar tre futbollistë të Chelseat si objektiva kryesorë.
Ndeshja e parë zyrtare e Marescas në stolin e Cityt nuk mund të kishte nisur më keq. Kampionët e Premier League u mposhtën bindshëm nga Arsenali, me Riccardo Calafiori që hapi rezultatin që në minutën e parë, ndërsa Kai Havertz dhe Martin Ødegaard kompletuan triumfin 3-0 të “Topçinjve”.
Disfata ka shtuar shqetësimet mes tifozëve të Manchester Cityt vetëm pak ditë para nisjes së kampionatit kundër Bournemouthit.
Në të njëjtën kohë, rezultati ka përforcuar bindjen se skuadra ka ende nevojë për përforcime përpara mbylljes së afatit kalimtar më 1 shtator.
City rikthehet për Malo Gusto
Sipas TeamTalk, Manchester City ka kontaktuar Chelsean për të shqyrtuar mundësinë e transferimit të Malo Gusto.
Maresca e njeh mirë mbrojtësin francez nga periudha e tij te Chelsea dhe dëshiron të punojë sërish me të në “Etihad”.
City kishte shfaqur interes edhe më herët gjatë verës, por ishte tërhequr pasi Chelsea bëri të ditur se kërkonte më shumë se 70 milionë paund për reprezentuesin francez.
Kjo shumë u konsiderua tepër e lartë nga drejtuesit e Cityt.
Megjithatë, në prag të javëve të fundit të merkatos, kampionët anglezë raportohet se janë të gatshëm të rikthehen në negociata, me bindjen se mund të arrihet një kompromis.
Enzo Fernández mbetet objektivi madhor
Në të njëjtën kohë, Manchester City po vazhdon punën për një transferim shumë më të madh: Enzo Fernández.
Mesfushori argjentinas është lidhur prej kohësh me një kalim në “Etihad”, ndërsa Chelsea kishte vendosur të premten e kaluar një afat deri në orën 17:00 për klubet e interesuara që të paraqisnin oferta.
Afati kaloi pa ardhur ndonjë propozim zyrtar.
Megjithatë, situata mund të ndryshojë ndjeshëm nëse Rodri transferohet te Barcelona, siç pritet sipas raportimeve.
Në atë rast, City pritet ta intensifikojë menjëherë interesimin për Enzo Fernández dhe të paraqesë një ofertë zyrtare përpara mbylljes së merkatos.
Problemi kryesor mbetet çmimi.

