Lojtarët e Uruguait janë ndëshkuar nga Federata Uruguaiane e Futbollit pas një fushate katastrofike në Botërorin 2026.
Skuadra e drejtuar nga Marcelo Bielsa nuk arriti të fitonte asnjë ndeshje në turne dhe u eliminua që në fazën e grupeve, pasi barazoi dy takime dhe humbi ndeshjen e fundit 1-0 ndaj Spanjës.
Përballja me kampionët e Evropës ishte e mbushur me incidente.
Portieri veteran Fernando Muslera u zëvendësua në pushimin mes pjesëve pasi i shpëtoi nga duart goditja e Alex Baena, duke i dhuruar Spanjës golin e fitores.
Situata u përkeqësua edhe më shumë kur mesfushori i Manchester Unitedit, Manuel Ugarte, u largua nga fusha me barelë për shkak të një dëmtimi të dyshuar në gju, i cili mund ta mbajë jashtë fushave për një periudhë të gjatë.
Para ndeshjes kishte raportime të forta se disa lojtarë të Uruguait ishin rebeluar kundër metodave të Bielsës.
Sipas raportimeve, disa prej yjeve të ekipit ishin të pakënaqur me intensitetin e stërvitjeve dhe kishin kërkuar një ndryshim të madh në aspektin taktik.
Megjithatë, kjo nuk ndodhi dhe tani Federata Uruguaiane e Futbollit (AUF) ka bërë të qartë pakënaqësinë e saj ndaj paraqitjes së ekipit.
Sipas raportimeve të “El País” dhe “Tenfield”, fluturimi privat i planifikuar për kthimin e skuadrës në kryeqytetin Montevideo u anulua pas eliminimit të hershëm.
Fillimisht, e gjithë skuadra dhe stafi do të ktheheshin së bashku me një avion çarter, por më pas u vendos që të udhëtonin nga baza në Meksikë me fluturime komerciale.
Kjo bëri që lojtarët të udhëtonin të ndarë, me destinacione dhe ndalesa të ndryshme.
