Në moshën 27-vjeçare, Mërgim Berisha do të pritej të ndodhej në kulmin e karrierës së tij, duke shfaqur potencialin që kishte treguar që në vitet e para të zhvillimit si futbollist. Megjithatë, si shumë talente të rinj, pritshmëritë për të kanë qenë më të mëdha se arritjet reale deri më tani.
I lindur në Gjermani, Berisha filloi karrierën e tij te Bischofsëiesen, por shumë shpejt kaloi në Austri, ku u rrit dhe zhvillua profesionalisht te Red Bull Salzburg. Gjatë këtyre viteve pati huazime te LASK dhe Altach në Austri, si dhe te Magdeburg në Gjermani.
Në shtator 2021 ai bëri një hap të madh në karrierën e tij, duke u transferuar te Fenerbahçe në Turqi. Pas një viti aty, u huazua tek Augsburg në Bundesligë, dhe më 2 korrik 2023 klubi gjerman bleu kartonin e tij për 4 milionë euro, për ta shitur më pas më 30 gusht te Hoffenheim për 14 milionë euro. Në janar të vitit të kaluar, ai u huazua sërish te Augsburg, huazimi i të cilit përfundoi më 30 qershor.
Sot, Berisha është pjesë e Hoffenheimit, ku luajnë edhe tre reprezentues të Kosovës: Fisnik Asllani, Leon Avdullahu dhe Albion Hajdari. Sulmuesi ka kontratë me klubin gjerman deri në qershor 2027, por kjo nuk e ka penguar mungesën e tij të vazhdueshme në fushë.
Ai nuk ka luajtur asnjë ndeshje këtë sezon, dhe nuk është grumbulluar asnjëherë. Ndeshja e fundit që zhvilloi ishte më 20 prill 2025 për Augsburgun kundër Eintracht Frankfurtit, ndërsa goli i fundit për Hoffenheimin daton më 14 shtator 2024.
“Para një viti, Augsburgu e huazoi Mërgim Berishën nga Hoffenheimi. Sulmuesi u bë lojtar reprezentues tek Augsburgu, por asnjëherë vërtet nuk u stabilizua te Hoffenheimi më pas. Periudha e tij e dytë tek Augsburgu po ashtu përfundoi me dëshpërim. Pas disa lëndimeve, Berisha nuk u rikuperua asnjëherë plotësisht dhe mbeti në hije. Palët ndanë rrugën sërish në verë”, ka shkruar medium gjerman Augsburger Allgemeine .
