Në prag të çerekfinales së parë të Ligës së Kampionëve mes Bayern Munichut dhe Real Madridit, Joshua Kimmich ka shprehur entuziazmin e tij, duke e cilësuar këtë përballje si një duel mes dy klubeve më të mëdha në botë.
“Është diçka speciale të luash kundër Realit. Bayerni dhe Reali janë klubet më të mëdha në botë”, deklaroi ai në konferencë për shtyp.
“Trajneri ynë nuk bën shumë dallim mes ndeshjeve, por ne të gjithë e ndiejmë që një çerekfinale kundër Realit është diçka shumë e veçantë – mezi e presim. Kam qenë këtu një herë si fëmijë dhe kam vizituar stadiumin, edhe pse nuk kishte ndeshje. Edhe atëherë e kuptova sa madhështor është. Nuk është diçka që e përjeton çdo ditë. Ti stërvitesh çdo ditë për momente si këto. Shpresoj të japim një performancë të mirë nesër”, shtoi ai.
Bayern ka pasur vështirësi ndaj Real Madridit në vitet e fundit, duke mos fituar në tetë ndeshjet e fundit në Champions kundër klubit nga Madridi. Megjithatë, Kimmich është i vendosur ta ndryshojë këtë.
