Sezoni i ri 2026/27 në “Albi Mall Superliga” pritet të nis këtë fundjavë.
Në prag të fillimit të edicionit të ri të garave , Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur takimin e rregullt me delegatët e ndeshjeve të Albi Mall Superligës dhe Ligës së Parë.
Ky takim kishte për qëllim bashkërendimin e punëve, ngritjen e nivelit të organizimit dhe përgatitjen sa më të mirë të zyrtarëve për sfidat e kampionatit të ri.
Presidenti Agim Ademi përgëzoi delegatët për punën e bërë deri më tani dhe kërkoi mobilizim e përgjegjësi maksimale që nga java e parë e edicionit të ri.
“Jemi në prag të një edicioni të ri garues që kërkon përkushtim absolut nga të gjithë ne. Delegatët janë pasqyra e profesionalizmit dhe e zbatimit të rregulloreve në fushë. Kërkoj nga secili prej jush mobilizim të plotë, vigjilencë dhe korrektësi maksimale në çdo ndeshje, në mënyrë që kampionati të ketë mbarëvajtje shembullore”, deklaroi presidenti Ademi.
Në takim ishin të pranishëm edhe kryetari i Komisionit të Garave, Abdyl Bellopoja, dhe administratori i Superligës dhe Ligës së Parë, Agron Shosholli, të cilët me delegatët diskutuan edhe për ndryshimet në aktet normative të garave, si dhe për çështje të tjera me rëndësi për organizimin dhe mbarëvajtjen e kampionatit të ri.
Edicionin e ri e hap ndeshja ndërmjet Feronikelit 74 dhe Gjilanit, që zhvillohet të premten.