Egnatia ka siguruar një fitore të rëndësishme në garën për titullin kampion, duke mposhtur Vllazninë me rezultatin 2-1 në stadiumin “Air Albania”.Kampionët në fuqi u treguan më kërkues në pjesën e parë dhe arritën të zhbllokonin shifrat në minutën e 38-të.

Eljon Sota u gjend në pozicionin e duhur brenda zonës dhe me një goditje të saktë me kokë, pas krosimit të Kryeziut, kaloi rrogozhinasit në avantazh. Fraksioni i dytë i lojës nisi me një ritëm më të lartë, ku Egnatia shpërdoroi një mundësi të artë në minutën e 73-të me anë të Bakayoko-s, i cili u bllokua nga portieri Pohls përpara portës së boshatisur.

Shkodranët reaguan katër minuta më vonë dhe barazuan përkohësisht shifrat. Pas një goditjeje të Muratajt që u ndal nga shtylla, Qato u tregua i shpejtë për të dërguar topin e kthyer në rrjetë. Megjithatë, Egnatia nuk u dorëzua dhe gjeti golin e triumfit në minutën e 88-të, kur Adjesa shënoi me kokë për rezultatin 2-1.Festimi i golit solli tensione dhe përleshje mes futbollistëve në fushë, çka detyroi arbitrin të ndëshkonte me karton të kuq mesfushorin Aleksi, duke i lënë rrogozhinasit me dhjetë lojtarë. Pavarësisht inferioritetit numerik në minutat e mbetura, Egnatia e mbrojti avantazhin dhe u ngjit në krye të renditjes së “Final Four” me 34 pikë, duke krijuar një shkëputje prej tri pikësh nga Vllaznia dhe Elbasani.