Granit Xhaka dyshohet se bleu një certifikatë të falsifikuar vaksinimi gjatë pandemisë së COVID-19, ndërsa tashmë në Zvicër ka nisur debati për të ardhmen e tij me Kombëtaren.
Për situatën e kapitenit zviceran ka folur edhe përzgjedhësi i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin, i cili për herë të parë ka komentuar publikisht rastin e Xhakës.
E ardhmja e Xhakës me Kombëtaren është vënë në pikëpyetje pas rastit me certifikatën e vaksinimit. Në futbollin zviceran po diskutohet nëse ai duhet të vazhdojë të jetë kapiten, apo edhe nëse duhet të jetë pjesë e Kombëtares.
Yakin, megjithatë, ka thënë se Xhaka e ka kuptuar gabimin e bërë dhe se është penduar për veprimin e tij.
“Granit e ka kuptuar se ka bërë një gabim. Atij i vjen keq dhe ai ka marrë publikisht përgjegjësinë për sjelljen e tij”, ka thënë Yakin.
Deri të dielën mbrëma, Yakin kishte planifikuar që Xhaka t’i bashkohej Kombëtares në Belek, ku skuadra po përgatitet për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve.
Megjithatë, së bashku me presidentin e Federatës Zvicerane të Futbollit, Peter Knabel, Xhaka vendosi të qëndrojë larg Kombëtares gjatë javëve të ardhshme.
“Mes këtij debati të zhurmshëm dhe kontrovers në publik, ai dëshiron ta mbrojë ekipin në mënyrë që të mund të fokusohet plotësisht te ndeshjet e rëndësishme të Ligës së Kombeve”.

